Nga Florion Metohu

Agjensia Botërore Anti-Doping  dëboi sportistët rus për një afat  4 vjeçar  nga të gjitha aktivitet sportive  Ndërkombëtare. Sipas vendimit, Rusia ndalohet të marrë pjesë në aktivitetet sportive ndërkombëtare, përfshi Lojërat Olimpike të verës 2020 ne Tokio dhe Lojërat Olimpike dimërore 2022 në Pekin.

Agjensia Botërore Anti-Doping pas hetimeve disavjeçare zbuloi se testet antidoping falsifikoheshin dhe analizat shkëmbeheshin në një laborator shtetëror. Vendimi i Agjencisë botërore Antidoping për të ndaluar Rusinë nga sportet ndërkombëtare  konfirmoi ndërhyrjen e makinerisë shtetërore edhe në sportet e lira.

Sporti ishte nga të vetmit aktivitete që mendohej se nuk kontrollohej plotësisht nga Kremlini por faktet e dokumentuara nga Agjensia antidoping tregojnë një kontroll absolut. Edhe kur analizat rezultonin të infektuara urdhërohej që të ribëheshin dhe analizat e vërteta zëvendësoheshin. Imazhi i Rusisë dhe sportistëve luftarak rus u njollos përfundimisht duke hedhur baltë mbi disa kampionë që nuk e meritojnë një trajtim të tillë nga politika ruse.

Rusia vazhdoi të mashtronte në eventet sportive ndërkombëtare por mohon çdo gjë të keqe madje edhe pasi hetimet e shumta të pavarura zbuluan shkallën e përpjekjeve për të zhdukur dhe mbajtur të fshehtë mashtrimin e saj

Hetimi i Agjensisë Botërore Anti-Doping zbuloi se aktiviteti i paligjshëm nuk ishte për shkak të atletëve individualë por ishte një përpjekje e organizuar e qeverisë ruse për të arritur rezultate përtej mundësisë së atletëve.  Atletët që refuzonin përjashtoheshin nga ekipi dhe shantazhoheshin nëse nuk do të përfshiheshin në këto aktivitete antisportive.

Si zakonisht, kur Rusia kapet duke thyer rregullat, fajëson Perëndimin dhe në këtë rast fajin e ka agjensia botërore e dopingut e cila përfaqëson qindra shtete. Kryeministri Dimitri Medvedev, pasi pranoi se është e pamohueshme që Rusia ka akoma probleme të mëdha me dopingun, u shpreh se vendimi për të pezulluar vendin e tij nga të gjitha aktivitetet sportive ndërkombëtare, ishte vazhdimësi e histerisë anti- ruse që ndërmerrte perëndimi.

loading...

Russia ka qenë akuzuar shpesh për doping të atletëve të saj. Skandali arriti kulmin në vitin 2014, gjatë Lojërave Olimpike të Soçit, ku u bë e qartë se qeveria ruse falsifikoi rezultatet e testeve të drogës duke treguar se atletët e tyre po përdornin substanca të ndaluara për të rritur përformancën sportive. Hetimi i Agjencisë Botërore Anti-Doping u intensifikua në vitin 2019, duke e konfirmuar edhe më qartë se qeveria ruse u angazhua në një operacion masiv për të mbuluar gjurmët e mashtrimit të tyre.

Ndërkohë brenda në Rusi, një fushatë propagandistike, mundohet të diskretitoje gjetjet dhe provat e dopingut si një tjetër komplot i Perëndimit. Një Talk Show i përshkruaj ti si një tentativë nga rivalët e Rusisë për të eliminuar një kundërshtar potenzial në fitimin e medaljeve. Ndërsa një dokumentar u mundua të fajësoj bashkëpunëtorin me Agjencinë Botërore Antidoping Grigori Rodçenkov, një ish zyrtar rus antidoping, i cili ndihmoj në krijimin e skemës së mashtrimit, duke qënë drejtuesi i laboratorit në Moskë.

Të gjitha shtetet investojnë në infrastrukturat sportive dhe shpërblimin e atletëve që të arrijnë rezultate, ndërsa Rusia rezultoi se është vend i korruptuar që investon në mashtrim dhe thyerje të rregullave, ne vend që të investojë për atletët e saj, duke marrë pjesë me drejtësi në sportet ndërkombëtare

Sporti në Rusi është skllav i politikave, por shpresojmë që në të ardhmen atletët e vërtetë rus si, kampionet olimpike dhe boterore Jelena Izinbajeva dhe Maria Lasitskene, kampioni i hokeit në akull Aleksandër Oveçkin, kampioni i arteve marciale të përziera Kabib Nurmagomedov, kampioni i boksit Sergej Kovaljov, futbollisti Artjom Dzhuba dhe mijëra sportist të ndershëm rus të jenë të lirë të garojnë në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre në mbarë botën.

Sporti ka qenë gjithmonë një aktivitet që ka bashkuar kombet në një festë ku duhet të mbizotërojnë fair play dhe shpirti i garës përtej makinacioneve politike, në emër të ashtu quajturës krenari kombëtare. Le të shpresojmë që Rusia, pas vendimit të Agjencisë Botërore Anti-doping, ta ketë marrë këtë mesazh, të paktën për imazhin e saj dhe të atyre mijërave sportist të talentuar rus të cilët nuk kanë nevojë për hile të tilla.

 

 

 

loading...