Kryeministri Edi Rama ka folur nga seanca plenare e ditës së sotme, ku kanë hyrë për diskutim 5 projektligje të paketës Anti-KCK. Kryeministri tha se me Operacionin Forca e Ligjit është goditur në zemër krimi i organizuar, që sipas tij, është pasuria. Rama tha se nuk ka më falje për ata që kanë bërë para me “nderin e vajzave të varfra”. Shefi i qeverisë akuzoi edhe disa analistë që sipas tij, flasin nëpër studio në emër të kriminelëve.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

E kemi tronditur krimin e organizuar. Janë aq të tronditur saqë dalin nëpër studio emra që mbrojnë krimin, për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, për njerëz që kanë shfrytëzuar vajza të familjeve të varfëra duke bërë para me nderin e tyre. Për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve, dhe që kanë marrë pjesë intesivisht në rrjete të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, apo edhe nga drejtësia e lodhur shqiptare, dhe që kanë njollosur Shqipërinë dhe politikanët shqiptarë, që kurrë s’mund të pranojmë se jemi të gjithë njësoj. Ka politikanë të lidhur me krimin, pa dyshim, dhe janë ata që flasin më shumë sesi krimi është lidhur me politikën.

loading...

Ofensiva s’është lojë, është një operacion që fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar. Cuarja në burg e këtyre njerëzve, është njësoj si çuarja me studime pas-universitare e profesorëve. Në burg këta njerëz janë rehat, kanë lidhje deri në SHBA për të drejtuar nga burgu operacionet fitimprurëse. Burgu për ta nuk mjafton. Këta duhen zhveshur nga pasuria e paligjshme, dhe do të bëhet e pamundur që me makina sfiduese të vërtiten lart e poshtë duke i bërë karshillëk shtetit.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama u bë sot në Kuvend, gjatë një seance që pati në fokus amendimet për paketën Anti-KCK, ligjin për shpronësimet dhe për nxjerrjen nga sistemi të bashkëpunëtorëve të komunizmit. Ndërkohë, ka kaluar më shumë se një javë që prej momentit kur OFL ka nisur goditjen dhe sekuestrimin e emrave të njohur të botës së krimit. OFL dërgoi formularin tek Suel Cela dhe Plarent Dervishaj, Dash Gjoka, Emiljano Hysenaj, Lulzim Berisha, Edlir Hysenaj, Altin Hajri, Ardian Capja, grupi i Dukagjinit, Saimir Taullau, Ben Qimja, Durim Bami, Landi Muharremi, Bardhok Pllanaj, Alberto Lamaj, Emiljano Shullazi dhe Gjergj Cukali, i cili përflitet se është mik i afërt me të.

(dosja.al)

 

loading...