Kryeministri Edi Rama ishte sot në shtëpinë e oficerit të policisë, Ajet Meçja, i cili humbi 3 pjesëtare të familjes nga tërmeti i 26 nëntorit.

Meçja humbi bashkëshorten, vajzën dhe mbesën, ndërsa i përlotur ka treguar se dhimbja vijon të jetë shumë e madhe për këto humbje.

“Pse shpëtova, të kisha shkuar edhe unë. Fati s’deshi që ata të jetonin. Nuk di ç’të them. Dhimbja, plaga nuk shërohet, por mbështetja ka qenë e pakufishme”, ka thënë ai, teksa ka treguar detaje nga nata e tmerrit.

“Po, ishim bashkë. Unë fjeta në një dhomë të vogël në ballkon, dy vajzat te dhoma jonë, ndërsa gruaja në dhomën tjetër. Te tërmeti i madh i dëgjova që ulërinin shumë, sidomos mbesa, por unë nuk pata mundësi të dilja se m’u bllokua dera. Edhe mbi mua ranë inerte boll, dola zvarrë dhe pashë vetëm komshinjtë jashtë, pallati ishte bërë grumbull. Pastaj mblodha mendjen, ku janë fëmijët. U futa dhe dëgjoja mbesën, që thërriste “gjyshi” dhe Djenën që thoshte “më shpëtoni, ku është mami”por gruan e kishte goditur të parën”, ka treguar ai.

Meçe ka thënë se tani do vetëm t’i mundësohet ai pensioni që është parashikuar dhe ta ndaje jetën e tij me djalin në Itali.

Nëse mundet që unë ta ndaja kohën time mes fëmijëve në Itali dhe këtu. Dua të më mundësohet ai lloj pensioni që është parashikuar, nëse ka hapësirë ligjore”, ka thënë ai.

Ndërsa kryeministri i është përgjigjur me fjalët: “Hapësirën ligjore e bëjnë njerëzit, kështu që do të bëhet çfarë të duash ti”./Gazeta Liberale