Kompania Ecolog International dhe filantropi Lazim Destani zgjedhin një mënyrë krejt të veçantë për të ndihmuar mijëra familje në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut dhe komunat tjera përreth. Duket se, për të mos dashur qe t’ju çojnë pako në çdo derë, për t’i ndihmuar, por edhe ata që janë në nevojë të ndjehen më me dinjitet, Ecolog, kompani që drejtohet nga familja Destani, ka vendosur që t’u dorëzojë kupona. Me këtë të fundit, secili prej përfituesve mund të shkojë në marketet e përzgjedhura dhe të marrë produktet ushqimore, apo edhe ato të higjienës që ka nëvojë dhe në kasë paraqet kuponin. Lajmi për këtë donacion është publikuar nga vetë Z.Destani, i cili bashkë me kompaninë e tij, sapo kanë dhuruar për mijëra nxënës që vijnë nga familje në nevojë, tableta për mësimin online në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe Luginën e Preshëvës. Ja çfarë shkruan Z.Destani në rrjetet e tij sociale: “Në këtë periudhë pandemie, solidarizimi me familjet në nevojë është detyrim i gjithkujt që e ka këtë mundësi. Më vjen mirë kur shikoj se shumë kompani e biznesmenë, fondacione e organizata humanitare, si në diasporë ashtu dhe në trojet tona, janë mobilizuar dhe po u dalin në ndihmë familjeve në nevojë. Në kuadër të donacioneve të biznesit tonë familjar, përmes një aksioni të ndërmarrë këto ditë dhuruam mijëra kuponë që po u shpërndahen familjeve në nevojë në qytetin e Tetovës dhe në komunat përreth. Këto letra me vlerë do t’u shërbejnë atyre për t’u furnizuar me artikujt e nevojshëm ushqimorë dhe higjienik. Me këtë rast po e theksoj se, përmes këtij postimi dua t’i jap një impuls të ri ftesës drejtuar bizneseve, kudo qofshin ato, të jenë sa më pranë këtyre familjeve pasi në këto momente të vështira, shpresa e tyre jemi ne. Realizimi i ndihmave, duke blerë produkte vendore është ndihmë gjithashtu edhe për prodhuesit dhe ekonominë e vendit. Duke i mbështetur familjet në nevojë, e duke i zbatuar me disiplinë masat kundër koronavirusit, do ta kalojmë më lehtë e do ta mposhtim shpejt pandeminë”.