15 raste të reja me Covid 19 janë zbuluar në 24 orët e fundit në vendin tonë, kjo ka qenë deklarata e bërë nga Ministria e Shëndetësisë.

Si çdo ditë, ju bëjmë me dije rezultatet e 24 orëve të fundit sa i takon gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik dhe situatën e deritanishme të përhapjes së COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2.

Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 15 raste pozitive me COVID19. Nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin.

Deri në këto momente janë testuar 6768 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 678 raste, pra rreth 10% e totalit të rasteve të testuara. Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 394 ose 58.1% e totalit të të prekurve.

Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 38 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Mirditë, Shkodër, Kukës, Has dhe Kurbin.

Pavarsisht luhatjesve të të dhënave ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar.

Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.

Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.