Presidenti Ilir Meta ka replikuar me gazetaren e RTSH, Melisa Shameti e cila e pyeti se pse presidenti nuk i bëri këto propozime me 14 pika një vit më parë. Meta iu përgjigj Shametit duke i thënë se një vit më parë, presidenti ishte i angazhuar në qetësimin e situatës politike, pas djegies së mandateve të opozitës. Ai kujtoi edhe ftesën që i bëri kryeministrit pak ditë para zgjedhjeve, por ai iu përgjigj me një foto duke u larë në pishinë tek Sheratoni. 

REPLIKAT:

Meta: Ku isha unë? Unë do vdes për ty që harron kaq shpejt, unë do vdes për ty. Na mbysin me dezinformacion (i bie me dorë tavolinës)

Gazetarja: Mos u nxeh

Meta: jo nuk nxehem

Gazetarja: Ju ishit në mal, apo në bregdet duke u freskuar…

Meta: Ku ishim ne para një viti? Ishim në prag të një vëllavrasje, mitingje njëra palë, antimiting pala tjetër, ca bëra unë? Thashë aman mo hajde të bëjmë zgjedhje lokale si gjithë të tjerët. U thashë që pa zgjedhje gjithëpërfshirëse shkelet kriteri i Kopenhagenit, nuk hapen negociatat dhe shtohen kushtet. Hajde bëjmë zgjedhje vendore si njerëz se, në Europë po përpiqen të mos na ndajnë ne nga Maqedonia. U detyrova për të shmangur përplasjen, për të ulur palët. E mbani mend që unë e prisja këtu përpara zotërinë, dhe ai lahej në pishinë te Sheratoni?

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një komunikim me gazetarët, ku i informoi ata për platformën me 14 pika që i ka dorëzuar palëve për të plotësuar angazhimet me Bashkimin Evropian, si dhe për të rikthyer opozitën në sistem. Meta tha se çdo të premte, do të ketë një konferencë me mediat. Ai sqaroi se ambasada amerikane nuk ka asnjë shigjetim ndaj tij, pasi e ka takuar dhe informuar ambasadoren Yuri Kim, hap pas hapi për veprimet e tij, po ashtu edhe platformën. Gjithashtu, Meta mohoi një parti të re, por nuk përjashtoi mbështetjen e një lëvizjeje të re politike.